Parandalohet kontrabandimi e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Merdarë

Shpërndaje

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka zbuluar dy raste të tentimit të kontrabandës së armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake, në pikë kalimin kufitar me Serbinë në Merdarë.

“Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollat me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Pas zbulimit, konform kompetencës ligjore, rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.

“Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganor janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolla të shënjestruara, për të parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet”, thuhet tutje në njoftim.