Arrestime në Klinikën e Onkologjisë/ Arrestohet ish-drejtori Nino Vasev dhe dy të punësuar të tjerë

Shpërndaje

Janë arrestuar tre persona nga Klinika e Onkologjisë mes të cilëve edhe ish-drejtori i Klinikës, Nino Vasev. Nga ora 8 e mëngjesit janë kryer disa bastisje te 8 të punësuar të cilët dyshohen se janë lidhur me skandalin në Onkologji, por për të tjerët ende s’ka informacione nëse janë arrestuar ose janë të paqasshëm. Jozyrtarisht, procedurë është ngritur edhe kundër drejtorit ekonomik dhe sekretares së ish-drejtorit. Operacionin e zbaton Prokuroria Publike, prej ku tani për tani ende nuk japin hollësira rreth rastit. Sipas informacioneve jozyrtare, pas orës 8 ka nisur kërkim ndaj një personi.

Arrestime në Klinikën e Onkologjisë/ Arrestohet ish-drejtori Nino Vasev dhe dy të punësuar të tjerë
“Me urdhër të prokurorit publik janë duke u ndërmarrë veprime për persona që janë dyshuar në rastin me skandalin në Onkologji. Kur do të kemi më shumë detaje, do t’ju njoftojmë”- thanë nga Prokuroria Publike.

Edhe nga MPB për TV21 pohuan se Prokuroria ka kërkuar ekipe policore për zbatimin e procedurës dhe se janë arrestuar të punësuar në Klinikë, por thanë se rastin e udhëheq Prokuroria dhe se nuk munden të japin informacione të tjera. Për atë që ka ndodhur në Klinikë foli edhe drejtoresha aktuale Violeta Klisarova dhe drejtori organizativ Halit Matoshi. Ata thanë se policia nuk ka folur me ta, vetëm ua kanë treguar urdhrin, ndërsa pohuan se janë arrestuar tre persona.

-Këtu ishin dy, dhe prej këtu i morën.
-A kishte edhe kontrolle të tjera nga ana e policisë?
-Ndoshta ka pasur por nuk jam njoftuar, e konfirmoj atë që e di.
-A janë marrë prova ose dosje?
-Nuk mund të them asgjë, nuk e di, nuk kemi informacion – tha Violeta Klisarova, Drejtoreshë e Klinikës së Onkologjisë.

“Vetëm erdhën me urdhër se kë duhet të arrestojnë. Prej këtu morën tre persona, drejtorin, po, dhe dy të punësuara. Sekretaresha nuk erdhi në punë, ndoshta e kanë arrestuar diku tjetër, nuk e di, telefonin e ka shkyçur. Një person mjekësor dhe një i punësuar”- tha
Halit Matoshi, Drejtor Organizativ I Klinikës së Onkologjisë.

Skandali me Klinikën e Onkologjisë e tronditi opinionin në shtator të vitit të kaluar kur dolën informacione për një grup të përbërë nga të punësuar në këtë Klinikë, shumica e të cilëve ishin mjekë dhe personel mjekësor të cilët kanë shitur citostatike. Për këtë ishte njoftuar Komisioni për caktimin e përgjegjësisë politike, ku u paraqit edhe ish drejtori Nino Vasev.