Erdoğan: SHBA-ja dhe Britania përdorën forcë joproporcionale në Jemen

Shpërndaje

Shtetet e Bashkuara dhe Britania përdorën forcë joproporcionale në Jemen, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Duke iu adresuar gazetarëve pas faljes së namazit të xhumasë në Istanbul, Erdoğan foli për sulmet ndaj Jemenit nga SHBA-ja dhe Britania.

“Të gjitha këto veprime përfshijnë përdorimin e forcës joproporcionale. Izraeli po përdor gjithashtu forcë joproporcionale në Palestinë”, tha Erdoğan.

“Ne marrim informacione nga burime të ndryshme se Huthit kanë bërë mbrojtje shumë të suksesshme, kanë dhënë përgjigje të suksesshme, si kundër SHBA-së, ashtu edhe ndaj Britanisë”, tha ai.

SHBA-ja dhe Britania kryen sulme me raketa ndaj objektivave të grupit Huthi në Jemen gjatë natës.

Sulmet kishin në shënjestër lokacione të shumta të Huthive në qytetet jemenase të kontrolluara nga grupi i mbështetur nga Irani dhe pasuan një varg sulmesh të grupit në Detin e Kuq ndaj anijeve të destinuara drejt Izraelit. Sulmet e grupit jemenas filluan në nëntor në përgjigje të luftës izraelite në Gaza.

Për çështjen e gjenocidit të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Erdoğan tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka ku të fshihet dhe se nuk ka mbrojtje për veprimet e tij.

Dita e parë e gjyqit përfundoi të enjten pasi ambasadori i Afrikës së Jugut në Amsterdam, Vusimuzi Madonsela, lexoi nëntë masat e përkohshme që vendi i tij kërkoi nga Gjykata kundër Izraelit.

Në ditën e parë të gjyqit, pala e Afrikës së Jugut paraqiti akuzat e saj kundër Izraelit në GJND së bashku me arsyet dhe provat mbështetëse.

Përfaqësuesit ligjorë për Afrikën e Jugut në gjyq e akuzuan Izraelin për “veprime të qëllimshme kundër banorëve të Gazës, duke vërtetuar qëllimin gjenocidal”.