Kur do blihen raketat Javelin? Duhet miratimi në Kongres dhe trajnimi për përdorim nga FSK

Shpërndaje

Kërkesë kjo, në vlerë rreth 78 milionë dollarë, që është aprovuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Për të finalizuar blerjen e raketave “Javelin”, dritën e gjelbër duhet ta japë edhe Kongresi Amerikan.

Krerët e shtetit janë optimist, se blerja e raketave, me rreze deri në katër mijë metra, do mbështetet nga institucionet amerikane.

“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, u shpreh Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kosova synon të bëjë blerjen përmes programit për Shitje Ushtarake të Huaja, që ka synim mbështetjen e politikës së Jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së përmes partnerëve.

Njohësit e shohin këtë kërkesë të Kosovës përveç tjerash si reagim mbrojtës të Kosovës.

“Më se e domosdoshme është treguar sistemi raketor kundër tanksave dhe autoblindave ku Serbia i ka përforcuar tri brigada në kufi edhe pse nuk është reagimi primar i FSK-së”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.

Pos tjerash, armatimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës bëhet edhe për forcimin e kapaciteteve të saj në kuadër të transformimit 10-vjeçar.

“Mendoj që me këtë i ofrohemi përqindjes prej dy për qind të GDP-së që kërkohet për anëtarët e NATO-s”, tha Ibishi.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit shitjen e arsyetojnë me rritjen e kapacitetit afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.

Kosova ka rritur buxhetin e saj për Forcën e Sigurisë së Kosovës në 153 milionë euro.