Ministrja e Jashtme sllovene, Fajon për situatën në Gaza: Bota ka dështuar në testin e njerëzisë
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi se situata në Gaza po përkeqësohet dita-ditës dhe se bota ka dështuar në testin e njerëzisë, transmeton Anadolu.
Fajon në një deklaratë për televizionin CNN tha se në Gaza ka shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. “Situata është katastrofike dhe përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Nuk ka asnjë shans të dytë për të shpëtuar Gazën”, tha ajo.
“Bota ka dështuar në testin e njerëzisë. Ne kemi nevojë për armëpushim të përhershëm për të ndihmuar civilët që kanë nevojë për ndihmë humanitare. Ne duhet të ndihmojmë punonjësit humanitarë”, tha Fajon.
Ajo potencoi se Gaza dhe Bregu Perëndimor u përkasin palestinezëve.
“Ne duhet të mbështesim të gjitha hapat paqësore për të pasur zgjidhje me dy shtete për sigurinë dhe bashkëjetesën e izraelitëve dhe palestinezëve. Unë e di se ky është objektiv afatgjatë, por kjo është arsyeja pse ne duhet të ndalojmë dhunën në Gaza e cila është kundër ligjit humanitar ndërkombëtar dhe të sigurojmë armëpushim të përhershëm”, tha Fajon.