Protestë masive në Washington në mbështetje të Palestinës

Shpërndaje

Foto: Mostafa Bassim / AA
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në Washington DC për një marshim dhe tubim për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës dhe fundin e ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin, raporton Anadolu.

Tubimi, i organizuar nga Task-Forca Amerikane Muslimane për Palestinën dhe Koalicioni ANSWER, filloi me fjalime të amerikanëve familjet e të cilëve janë vrarë në Gaza.

Alaa Hussein Ali, nga shteti i Michiganit, tha se ai humbi 100 anëtarë të familjes, duke përfshirë më shumë se 60 fëmijë, në Gaza në atë që ai e quajti “gjenocid”.

Ai tha se vëllai i tij shkoi të kërkonte ujë për një “udhëtim të rrezikshëm” nga veriu në jug të Gazës, por nuk u kthye më pasi u vra nga një snajper izraelit.

“Ai u qëllua disa herë në gjoks. Dhe ai u gjet pesë ditë më vonë në një nga spitalet në Gaza”, tha ai.

Adam, i cili është një farmacist palestinezo-amerikan nga Gaza, tha se nga sulmet izraelite ka humbur më shumë se 100 anëtarë të familjes, përfshirë babanë e tij.

“Izraeli vrau një njeri që e donte jetën, e donte paqen, i donte njerëzit, e donte natyrën. Dhe mbi të gjitha, ai i donte nipërit e tij”, tha ai.

“Tregimi i secilit anëtar të familjes që u vra është dëshmi e gjenocidit të vazhdueshëm mbi popullin tim palestinez”, tha Adam.

“Presidenti Biden lehtë mund ta ndalë këtë gjenocid… Ai mund ta marrë lehtësisht telefonin dhe të telefonojë Izraelin për të ndaluar këtë çmenduri”, shtoi ai.

Ndërkaq, turma brohoriste: “Palestina e lirë”; “Armëpushim tani” dhe “Fund pushtimit”. Ata po ashtu mbanin në duar tabela me mbishkrime si “Jepini fund luftës në Gaza” dhe “Lëreni Gazën të jetojë”.

Tubimi vazhdoi me fjalime nga aktivistë të shquar, udhëheqës të komunitetit dhe të figura të famshme përpara se protestuesit të marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit amerikan.