Rasti M-NAV/ 39-vjeçari P.B është dëshmitar, 4 të dyshuarit e tjerë ende në arrati – Këta janë emrat
Policia mbrëmë ka ndaluar të sulmuarin në incidentin e 4 janarit në M-NAV. Sipas Ministrisë së Brendshme në vendkalimin kufitar të Bllacës ndaluar 39 vjeçari me inicialet P.B. i cili në incidentin e ndodhur në hapësirat e fluturimit të aviacionit civil, dyshohet se ka qenë i sulmuar nga i punësuari tjetër Bekim Neziri dhe i dyshuari në arrati Ersen Sali, shkruan Alsat.
Policia tha se 39 vjeçari, nuk është i dyshuar por dëshmitar dhe me urdhër të prokurorisë nuk duhet të lëshojë shtetin.
“Më datë 06 Janar 2024 në ora 20:10 në vendkalimin kufitar “Bllacë e Poshtme” në dalje të shtetit, është privuar nga liria personi me inicialet P.B. 39 vjeç nga Shkupi. Gjatë kontrollit të pasaportave dhe kontrollit në evidencën operative është konstatuar se ndaj tij ka një masë aktive ‘arrest’, me kërkesë të Departamentit për hetime në MPB, për veprën e kryer penale ‘rrezikimi i sigurisë së qarkullimit ajror’, konkretisht, sipas nenit 303 Paragrafi 2 i Kodit Penal. Ai është ndaluar dhe i është dorëzuar punonjësve të policisë për procedurë të mëtejshme”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Përderisa policia dhe prokuroria po merret me të dëmtuarin, katër autorët akoma mbeten të pakapshëm për organet e rendit dhe të hetuesisë. MPB tha se janë duke u kërkuar me urdhër-arrest qendror brenda shtetit, kurse prokuroria thotë se gjykatësi i procedurës paraprake akoma nuk ka caktuar masa përkatëse për të arratisurit në mënyrë që të hapet rruga për urdhër-arrest ndërkombëtar.
“Para se të lëshohet një urdhër-arrest ndërkombëtar, është e nevojshme të merren të gjitha masat në nivel kombëtar për gjetjen e personave në territorin e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk gjenden, sipas konventave ndërkombëtare për ekstradimin, gjyqtari i procedurës paraprake duhet së pari të caktojë masën e paraburgimit në mungesë për personat që janë pakapshëm për ligj zbatuesit, pas së cilës prokuroria mund të kërkojë që do të lëshohet një urdhër-arrest ndërkombëtar”, thuhet nga Prokuroria Themelore Publike.
Në bazë të Nenit 146 paragrafit 1 të Procedurës Penale, të dyshuarit nuk mund ta lëshojnë vendbanimin, përkatësisht vendqëndrimin, janë të detyruar të paraqiten në gjykatë, si dhe u konfiskohen dokumentet e udhëtimit. Masë kujdesi u shqiptua ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Bekim Neziri, këshilltar aktual i drejtorit të M-NAV-së dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair dhe Ramadan Bravës.
Në masë të kujdesit po mbahen edhe dy të punësuarit në kompaninë e sigurimit “2SS Security” Abdyl Osmani dhe Almir Ramdedoviq, të cilët ishin në turnin e punës ditën kur ndodhi incidenti dhe nuk e parandaluan sulmin.
Ndërkohë 4 persona janë akoma në arrati, në mesin e të cilëve siç mëson Alsat është edhe Ersen Sali, ndaj të cilit rëndon një vepër dënimi me kusht për pjesëmarrje në incident më herët. I pakapshëm për organet e rendit është edhe Labinot Çerimi, i cili është në lidhje familjare me Bekim Nezirin. Ndërsa, identiteti i dy të tjerëve të arratisur mbetet i panjohur./Alsat.mk