UNRWA: Në Rripin e Gazës janë zhvendosur 1.9 milion njerëz që nga 7 tetori
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se 1.9 milion njerëz janë zhvendosur për shkak të sulmeve që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, transmeton Anadolu.
UNRWA publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me situatën në Rripin e Gazës i cili që nga 7 tetori ndodhet nën sulme intensive të Izraelit.
“Nga 7 tetori 2023 kur Izraeli filloi sulmet kundër Gazës e deri më 6 janar 2024, në Gaza janë zhvendosur 1.9 milion njerëz”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se disa prej tyre të zhvendosur më shumë se një herë, gjë kjo e cila përkon me 85 për qind të popullatës gjithsej.
Në 155 objektet e UNRWA-së në Rripin e Gazës janë strehuar rreth 1.4 milion të zhvendosur, rreth 500 mijë të tjerë ndodhen përreth këtyre objekteve ndërsa gjithsej 1.88 milion të zhvendosur marrin ndihmë nga UNRWA.
Më tej thuhet se që nga fillimi i konfliktit e deri më tani janë vrarë 146 punonjës të OKB-së.
Që nga fillimi i sulmeve të Izraelit e deri më tani janë raportuar 220 sulme, 63 prej të cilave në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj objekteve të UNRWA-së, thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se vetëm 5 nga 22 qendrat shëndetësore të UNRWA-së janë ende në funksion.