Sekretari i NATO’s vjen të hënën në Kosovë, do të takohet me Kurtin e Osmanin

Shpërndaje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, do të fillojë një vizitë në Ballkan nga 19 nëntori deri më 22 nëntor, në kuadër të së cilës do të vizitojë edhe Kosovën.

Sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të qëndrojë në Kosovë të martën, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Ai do të vizitojë edhe Kampin e KFOR’it “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR’it dhe do t’ju adresohet trupave, raporton Express.

Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

Fillimisht, para Kosovës, Stoltenberg do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës.

Të hënën, më 20 nëntor, Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

Stoltenberg do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.