Deklarohet biznesmeni Habib Morina, pasi Inspektorati ia la pompën “Patroni” jashtë funksionit

Shpërndaje

Ministria e Bujqësisë në koordinim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Fushë Kosovë, për lirimin e dy pronave kadastrale, më saktësisht, pompat e derivateve “Patroni” dhe “Kastrati”, raporton Ekonomia Online.

Ndërkohë që deri tash pompa ‘Patroni’ është bllokuar me shirita, duke mbetur jashtë funksionit.

Pas kësaj, pronari “Patronit”, Habib Morina tha se do të presin një vendim nga gjykata për të parë se kush ka të drejtë.

“Gjykata kompetente ndoshta na jep të drejtën ose nuk na jep të drejtën, po presim një vendim të gjykatës“, tha Morina para mediave.

Ndërsa avokati i kësaj kompanie, Naim Spahiu, tha se Ministria e Bujqësisë është dashur t’i lajmërojë së paku gjashtë muaj më herët.

Sipas tij, ministria nuk mund të liroj prona pasi ajo është e drejtë e gjykatave. Veprimet e Ministrisë sipas Spahiut janë në kundërshtim me kontratën pasi e kanë dëmtuar kompaninë e cila kishte autorizimin shfrytëzimit

“Ministria me këtë rast ka treguar zyrtarët se nuk e  kanë të qartë se si duhet vepruar në raste të një veprimi të kundërligjshëm”, tha ai.

Spahiu deklaroi se qiraja e paguar mujore vetëm për tokë ishte 500 euro në muaj.