​Inaugurimi i shtatores Adem Jashari në Mitrovicë, Jashari: Simbolizon realizimin e idealit tonë për liri

Shpërndaje

Në mesin e qindra qytetarëve, sot në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u inaugurua shtatorja e komandantit Adem Jashari në Mitrovicë.

Në një fjalë rasti, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari iu uroi të gjithë shqiptarëve 17 shkurtin, festën e Ditës së Pavarësisë. Ai gjithashtu uroi që “këtë shtatore dhe gjithë të tjerat t’i gëzojmë së bashku”.

Në ceremoninë e inaugurimit të shtatores, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se sakrifica e familjes Jashari e simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri.

Ai tha se si rrallë herë në historinë e kombeve dhe njerëzimit, familja Jashari qëndruan heroikisht dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe.

Hamza shtoi kjo sakrificë u bë frymëzim dhe forcë mobilizuese për djemtë dhe vajzat e Mitrovicës që me armë në dorë luftuan denjësisht për lirinë e Kosovës.
Ndërkaq, lidhur me inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, i pari i Mitrovicës tha se kjo shtatore simbolizon realizimin e idealit tonë për liri.

Ndër të tjera, kryetari i Mitrovicës dhe njëkohësisht ideatori i kësaj shtatoreje, tha se lufta e drejtë e UÇK-së u bë zëri kryesor i popullit në arenën ndërkombëtare, për çka shtoi se këtë luftë e përkrahën demokracitë më të përparuara të globit.

Ai potencoi se me rastin e shpalosjes së shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari “përkulemi para gjakut të dëshmorëve dhe shprehim mirënjohje të thellë për aleatët e lirisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.