Maqedoni

Këto janë vendimet e miratuara në Kongresin e jashtëzakonshëm të ASH-së

Shpërndaje

Blerant Ramadani ka njoftuar vendimet e miratuara në Kongresin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët në Shkup, transmeton TV21.

Është miratuar kandidatura e liderit të ASh-së, Arben Taravari për president të shtetit dhe se janë shfuqizuar vendimet e mbledhjes së Kuvendit të thirrur nga Ziadin Sela i cili u mbajt më 10 shkurt në Shkup.

“Prej gjithsej 739 delegatëve në nivel republikan, 421 delegatë ishin prezent. Si pikë kryesore në rendin e ditës ishte – miratimi i kandidaturës për president të kryetarit të partisë, zotëri Arben Taravarit, shfuqizimi i vendimeve të mbledhjes së Kuvendit të 2 të partisë të mbajtur në Shkup, më 10 shkurt 2024 dhe plotësim – ndryshime statutare. Vlen të theksohet se të tre pika kaluan me votime unanime – prej 421 votave “pro” përveç pikës së parë e cila kishte një votë “abstenim””, tha Ramadani.

Me ndryshimet e statutit të ASh-së, të miratuara në Kongresin e jashtëzakonshëm që është mbajtur në Shkup nga krahu i Arben Taravarit, do të ketë ndryshime në Kuvendin e partisë.

Ziadin Sela nuk do të jetë më kryetar i Kuvendit të ASh-së dhe funksionin e tij do ta bartë lideri aktual i partisë, Arben Taravari, bëhet e ditur nga ASH-ja, transmeton TV21.

Blerant Ramadani në paraqitje para mediave ka bërë të ditur se janë shfuqizuar edhe vendimet e marra në mbledhjen e Kuvendit të ASh-së, të thirrur nga Ziadin Sela më 10 shkurt 2024 në Shkup.