Ligji për masat kufizuese të martën në Qeveri!

Shpërndaje

Tërheqja e Ligjit për Masat Kufizuese nga procedura kuvendore ngjalli një sërë spekulimesh në publik, edhe pse Qeveria teknike sqaroi se këtë e bën për arsye administrative. Ligji parasheh se të gjithë ata që janë në “listat e zeza” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar t’i nënshtrohen masave sipas legjislacionit të Maqedonisë. Kryeministri teknik, Talat Xhaferi realizoi takim edhe me ambasadoren amerikane, Anxhela Ageler, të cilën e ka njoftuar se për këtë propozim-ligj janë duke u zhvilluar konsultime shtesë dhe se është paraparë të rishqyrtohet në seancë qeveritare. Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, tha se ligji duhet të kalojë në seancën e Qeverisë të martën.

“Sipas këtij vendimi, kur ka “listë të zezë” siç e quajmë ne, Qeveria njofton edhe Prokurorinë. Prokuroria është e detyruar të hapë procedurë në përputhje me Ligjin për Procedurë Penale nëse ka aktakuzë, fakte. Gjykata pranon aktakuzën dhe Gjykata ka të drejtë sipas këtij ligji të marrë dy nga ato masa të sigurisë – ndalesë për ushtrim të një funksioni publik dhe nëse bëhet fjalë për person juridik të mos marrë pjesë në tenderë, prokurime publike, partneritete publiko-private, koncesione e kështu me radhë”, tha Bujar Osmani, ministër i jashtëm.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë tha se pret që ky ligj sërish të kalojë në seancë qeveritare dhe të dërgohet në Kuvend.

“Qeveria e kaluar tashmë e ka miratuar këtë ligj, ndërsa Qeveria teknike dhe kryeministri janë duke ndërmarrë disa aktivitete administrative. Ligji sërish do të dorëzohet në Kuvend, gjë që pres të ndodhë. Mendoj se është me rëndësi të theksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik dhe ata mirëpresin çdo përpjekje dhe çdo ligj me të cilin kërkohet llogaridhënie dhe përgjegjësi”, tha Dimitar Kovaçevski, ish-kryeministër.

Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, e cila qëndron për vizitë në ShBA, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha se pret që “lista e zezë” të zgjerohet.

“Shpresoj se lista do të plotësohet edhe më shumë. Gjithmonë them se kjo është ndihmë shtesë nga partnerët tanë ndërkombëtarë që t’i nxisim institucionet vendase ta bëjnë punën e tyre. Megjithatë, kjo është puna jonë e brendshme, puna e institucioneve vendase, gjyqësorit tonë, t’i ngrenë këto raste dhe të dëshmojmë se ka epilog dhe se dikush nga profilet e larta i akuzuar për korrupsion mund të përgjigjet, nëse me të vërtetë ka shkelur ligjin”, pohoi Sllavica Gërkovska, zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.

Gërkovska mes të tjerësh shton se me propozim-Ligjin për Masat Kufizuese do të përcaktohet se si të procedohen rastet dhe se secili do të përballet me pasoja nëse ndërmerr ndonjë veprim të paligjshëm. Të fundit që ishin përfshirë në listën e zezë të ShBA-ve ishin kryetari i Strugës, Ramiz Merko, ish-zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, Orce Kamçe dhe Sergej Samsonenko.