Ndalimi i dinarit serb në Kosovë, Sanduloviq: Fundi i pasurimit të Radoiçiqit, Veslinoviqit, Rakiqit dhe kriminelëve të Listës Serbe

Shpërndaje

Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, ka deklaruar se shuma e dinarëve që Serbia ka dërguar në Kosovë ishte ne vlerë prej rreth 800 milionë eurosh dhe me të cilat më nuk do të pasurohen Radoiçiq, Veselinoviq, Rakiq e kriminelë të tjerë nga Lista Serbe.

Sanduloviq, i cili kohë më parë u rrah brutalisht nga BIA serbe, duke folur për ndalimin e dinarit serb në Kosovë ka shtruar disa pyetje.

“A është e vërtetë se tani problem ishin dinarët që i dërgoheshin Kosovës nga buxheti i Serbisë, pa asnjë kontroll të institucioneve të Kosovës dhe në kartmonedha?”, ka pyetur Sanduloviq.

Më tej Sanduloviq, ka pyetur se “a është e vërtetë se ajo shumë në dinarë kapte vlerën e 800.000.000 € në vit dhe me të cilat më nuk do të pasurohen Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq, Goran Rakiq dhe kriminelë të tjerë nga Lista Serbe?”

“A është e saktë kjo shumë dhe a shkuan ato para tërësisht për të ndihmuar komunitetin serb?”

Më fund Sanduloviq ka pyetur se “kush nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë e kanë pasur në dispozicion atë shumë të dinarëve dhe si i kanë shpërndarë? Kujt dhe sa?”.

Ndryshe, shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Ndërsa, Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake.

Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë një fazë tranzitore për këtë vendim dhe serbët do të informohen më mirë për të.