“Partneriteti do zgjasë më shumë se 100 vite të tjera” Zbardhet takimi Begaj-Blinken

Shpërndaje

Presidenca ka zbardhur detaje nga takimi që kreu i shtetit, Bajram Begaj, mbajti me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Përmes një njoftimi zyrtar, Presidenca bën me dije se presidenti Begaj, bisedoi me sekretarin amerikan për rëndësinë e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, zhvillimeve në rajon, solidaritetin me Ukrainën dhe angazhimi në krah të aleatëve të NATO-s.

Raportohet se Begaj në takim e cilësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe u shpreh se ajo është një demostrim “se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.”

– Advertisement –
“Kjo vizitë – vijoi më tej Presidenti Begaj – është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë të jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.”

Kreu i shtetit i shrehu Sekretarit Blinken mirënjohjen për atë që SHBA kanë bërë e po bëjnë për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.

“Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe Ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse”- deklaroi Presidenti gjatë bisedës me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Presidenti i Republikës theksoi se Shqipëria dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak.

Presidenti Begaj deklaroi: ”Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA dhe NATO për sigurinë rajonale dhe globale”.

”Unë e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, partneritetin tonë strategjik që do të zgjasë për shumë se 100 vite të tjera”- u shpreh Presidenti Begaj.