Rrëfimi i Arben Taravarit për kandidimin për president të Maqedonisë së Veriut

Shpërndaje

Në emisionin “KallxoPërnime” po ndiqni intervistën me Arben Taravarin, kandidatin e opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut.

– Pse dështuan bisedat mes BDI-së dhe opozitës shqiptare për një kandidat të përbashkët shqiptar për president?

– Cila është prapavija e përçarjes mes Selës dhe Taravarit për kryetarllëkun e partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët?

– Pse Taravari mendon që duhet të ndërrohet zgjedhja direkte e presidentit në Maqedoni të Veriut dhe të aplikohet sistemi zgjedhor i Kosovës për president?

– A do të ketë përzgjedhje klienteliste nëpër institucione të Maqedonisë së Veriut edhe nëpër tenderë nëse opozita shqiptare vjen në pushtet?

– Pse maqedonasit refuzojnë të përmendin pakicën shqiptare në Kushtetutën e tyre dhe si do ta ndërrojë këtë Taravari nëse vjen në pushtet?

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari ka folur rreth kandidaturës së tij për këtë pozitë, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24.04.2024 dhe 08.05.2024.Ai është kandidat i koalicionit të opozitës shqiptare, Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN). Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike dhe njëri krah i Aleancës për Shqiptarët (ASH).

Taravari në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se partitë opozitare shqiptare vazhdimisht kanë marrë më shumë vota se sa partia në pushtet.“Pikësynimi i të gjitha partive shqiptare opozitare që e quajtëm VLEN, opozita e bashkuar shqiptare, që të dalim me një qëndrim dhe të garojmë në zgjedhjet presidenciale me një kandidat për president, që pas vlerësimeve të përbashkëta që i bëm, doli që me kandidimin tim mund të arrihet që shqiptarët për herë të parë të kalojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni që është shumë me rëndësi sidomos simbolika e asaj që shqiptarët janë 30% në Maqedoni. Unë shpresoj që përveç votave shqiptare, mund të marrim edhe votat e etnive tjera” – tha Taravari.Taravari thotë se mendon që do të dalë i dyti në zgjedhjet presidenciale sepse sipas tij do ta ketë përkrahjen e BDI-së.“Unë kam ftuar BDI-në që të na përkrahë, të kemi një kandidat shqiptar, me përkrahjen e BDI-së, sigurisht që shkohet në raund të dytë” – thotë Taravari.

Por Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka bërë të ditur se Bujar Osmani do të jetë kandidat i kësaj partie për president në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit.Taravari më tej ka thënë se i vjen keq që nuk mundën të dalin vetëm me një kandidat për president të gjitha partitë shqiptare.“Ne kemi biseduar edhe me BDI-në por fatkeqësisht nuk mundëm të gjejmë një zgjidhje, pra ishte e pamundur të gjendet një kandidaturë e kapshme për të gjitha partitë” – ka thënë Taravari.Ai ka shpalosur edhe programin e tij presidencial për Maqedoninë e Veriut.

“Do të hapim një debat mes dy etnive, shqiptarëve dhe maqedonasve, Maqedonia duhet të mbaj rrugën evropiane dhe të ndodhin ndryshimet kushtetuese për butjen e etnisë bullgare në Kushtetutë. Tjetra është tërheqja e 20%, që përdoret për gjuhën shqipe dhe propozimi im do të jetë që Maqedonia, sikur Kosova që presidentin ta zgjedhim njësoj”- tha Taravari.