MaqedoniTop Lajme

Takimi i Kryeministrit Xhaferi me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së: Zgjedhjet e ardhshme janë pjesë e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në shtet dhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup.

Ky është takimi i parë i përbashkët i Kryeministrit me ambasadorët dhe një mundësi që personalisht t’i informojë për programin e Qeverisë në periudhën e ardhshme në drejtim të sigurimit të vazhdimësisë së politikave qeveritare, dhe aktiviteteve në drejtim të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ndër të tjera, Kryeministri theksoi “Porosia e parë e qartë që dua t’ua përcjell në këtë takim është se unë jam i vendosur, Qeveria që e drejtoj t’i përgjigjet detyrimit ligjor për zbatimin e procesit zgjedhor korrekt dhe demokratik, në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta evropiane”. Në këtë kontekst, Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, tha se obligim për zgjedhje korrekte dhe demokratike, krahas Qeverisë dhe institucioneve shtetërore, kanë edhe të gjitha subjektet politike në vend, përkatësisht të njëjtit duhet të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s, me negociata të nisura me BE-në dhe forcë lëvizëse e orientimit euroatlantik të rajonit, ndërsa ai personalisht do të angazhohet për një atmosferë konstruktiviteti. “Me rëndësi është që në zgjedhjet e 8 majit – dhe pas tyre, në afatet e caktuara ligjore, të zgjidhet presidenti i ri i shtetit dhe të formohet Qeveria e re, me legjitimitet të plotë, që të mos ketë ngecje në rrugën tonë të nisur”, theksoi Xhaferi.

Në kuadër të programit të Qeverisë, Kryeministri theksoi se Qeveria ka fokus të qartë drejt integrimeve evropiane dhe një orientim të qartë pro-evropian, që do të thotë vazhdimësi në politikat euroatlantike si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Në atë drejtim, si Kryetar i Qeverisë, do i japë mbështetje të plotë Kuvendit që, sapo të krijohen kushtet e domosdoshme për këtë, të votohen ndryshimet e propozuara të Kushtetutës, të cilat janë kushti i vetëm i kornizës së negociatave me Bashkimin Evropian dhe nga të cilat varet mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE-në, që do të thotë edhe hapje formale e procesit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Në diskutim, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Shkup, krahas urimeve për zgjedhjen e Kryeministrit Xhaferi dhe përbërjes së re qeveritare, shprehën përkrahje të fuqishme për përcaktimet e Kryeministrit dhe të Qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare korrekte dhe demokratike, si edhe për vazhdimësinë e paralajmëruar në politikat dhe bashkëpunimin në planin e brendshëm dhe të jashtëm, në përputhje me agjendën evropiane. U shkëmbyen opinione për vazhdimin e agjendës reformuese të Qeverisë në periudhën në vijim, për hapat e ardhshëm në lidhje me procesin zgjedhor, për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe politikat ekonomike të Qeverisë.