Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, këto janë afatet zyrtare

Shpërndaje

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi edhe zyrtarisht afatet që kanë të bëjnë me organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Listat e kandidatëve për president duhet të dorëzohen e shumta deri më 19 mars në mesnatë, 35 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill, shkruan Alsat.

Fushata zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale fillon më 4 prill ne mesnatë dhe zgjat deri më 22 prill.

Listat e kandidatëve – deri më 19 mars
Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare – 4 prill deri më 22 prill
Kandidatët për president kanë dy mënyra për t’u kandiduar, njëra me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve nga votuesit dhe tjera me propozim të 30 deputetëve. Mbledhja e nënshkrimeve të kandidatëve për president fillon më 23 shkurt dhe zgjat deri më 8 mars.

Deri tani, kandidaturën e tyre e kanë konfirmuar vetëm, kryetari i ASH-së Arben Taravari i mbështetur edhe nga Lidhja Evropiane për Ndryshim dhe Biljana Vankovska, kandidate e “Të majtës”. LSDM-ja do të konfirmojë emrin e kandidatit të saj deri në fund të muajit. Edhe pse gjasat reale për rikandidim i kishte presidenti aktual Stevo Pendarovski, ai rrezikon të mos ketë mbështetjen e BDI-së si në mandatin e kaluar, pas mosdekretimit të Ligjit për lojërat e fatit. Se fundi madje flitet që BDI-ja mund të dalë me kandidatin e saj.

VMRO-DPMNE-ja nga ana tjetër, do të publikojë kandidatin e saj në Konventën e partisë më 2 mars.

Afatet për zgjedhjet parlamentare fillojnë pak më vonë.

Partitë politike mund të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë e shumta deri më 2 prill, 35 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fillon më 18 prill dhe zgjat deri në mesnatën e 6 majit.

Listat e kandidatëve – deri më 2 prill
Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare – 18 prill deri më 6 maj
23 prilli dhe 7 maji janë ditë të heshtjes zgjedhore dhe ditë për votimin e personave të sëmurë, të pafuqishëm dhe të burgosur.

KSHZ-ja ka publikuar edhe afatet për listën zgjedhore. Të gjithë qytetarët do të mund të kontrollojnë veten e tyre në listën zgjedhore dhe të paraqesin kërkesat për ndryshime ose plotësime të listës nga 28 shkurti deri më 18 mars.