220 mijë llogari të bllokuara nga përmbaruesit! Qytetarët protestojnë: Nëse nuk zbatohet ligji nuk votojmë në zgjedhje

Shpërndaje

Përmbaruesit nuk e respektojnë Ligjin për vjetërsimin e lëndëve, e as nuk i respektojnë vendimet gjyqësore, reagojnë nga Shoqata “Njeriu mbi profitin” dhe “Non pasaran”. Ata sot së bashku me një numër të madh të qytetarëve u mblodhën para Ministrisë së drejtësisë prej ku kërkojnë nga Ministri që të obligojë përmbaruesit që të respektojnë Ligjin për të cilin edhe Gjykata Kushtetuese i hodhi poshtë nismat e parashtruara për rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit.

“Urgjentisht Ministria e drejtësisë të veprojë sipas Kushtetutës. Ata kërkuan nga Gjykata Kushtetuese, ja Gjykata Kushtetuese i refuzoi nismat. Kërkojmë nga Ministri thjeshtë të procedojë vjetërsimet, ta zbatojë Ligjin, për shkak se të gjithë e mbështetin ligjin. Ministri i drejtësisë dhe ministri nuk mbështesin ligjin e sjellë në Kuvend dhe të nënshkruar nga Presidenti”, tha Ana Gligorovska, Shoqata “Njeriu mbi profitin”.

Samka Ibraimovski nga partia PCER kërkoi nga ministri që ta plotësojë premtimin e dhënë, që nëse Gjykata kushtetuese i hedh poshtë iniciativat, ligji do të zbatohet. Tha se rreth 220 mijë xhirollogari janë bllokuar nga përmbaruesit, ndërsa nëse nuk zbatohet ligji, paralajmëroi se nuk do të votojnë në zgjedhjet.

“Dua t’i dërgoj mesazh ministrit. Alo, ministër, erdhëm te ti për shkak se na premtoi se nëse Gjykata kushtetuese e refuzon iniciativën e Odës së avokatëve të EVN-së, Telekomit dhe të gjithëve të tjerë që kanë dorëzuar, i kishte shumë, se do të veproni dhe se do të zbatohet ligji. 220 mijë xhirollogari janë bllokuar. Llogarisni, 220 mijë, nga dy persona në shtëpi, bëhen 480 mijë. Nuk do të ketë as president të shtetit, as deputetë. Nuk do të dalin për të votuar”, theksoi Samka Ibraimovski, PCER.

Në protestë erdhën një numër të madh qytetarësh të cilët me vite të tëra kanë problem me përmbaruesit. Me pankarta në dorë kërkojnë nga ministri që të zbatohet ligji. Një pjesë prej tyre u ankuan se me vite jetojnë pa rrymë elektrike.

-Ministria e drejtësisë të na ndihmojë të kemi rrymë. 15 vjet nuk kam rrymë, jetoj me qiri. Turp. Hajdutë, hajdutë.

-T’i them ministrit se tre vjet nuk kam rrymë elektrike, vajzat punonin, shkuan në Gjermani, mundohen, pastrojnë në Burger King dhe Makdonalds për t’ua kthyer borxhin përmbaruesve.

Në protestë shumë qytetarë nënshkruan kërkesa me shkrim që ia dorëzuan Ministrisë së drejtësisë, me çka kërkohet zbatim i ndryshimeve të Ligjit për marrëdhënie obligative me të cilin borxhet pas 10 vjetëve vjetërsohen.