Banorët i kërkojnë llogari Xhaferit për ujin në Pallçisht: Do të interesohem, por nuk premtoj se do ta zgjidh

Shpërndaje

Kryeministri teknik i RMV-së Talat Xhaferi, sot në Bogovinë ku mori pjesë në përurimin e një rruge, është ballafaquar edhe me banorët e fshatit Pallçisht.

Këta të fundit i kërkuan përgjegjësi kryeministrit për mungesën e ujit. Ata thanë se mungesa e ujit u shkakton probleme të mëdha edhe në rastet më të rënda, gjegjësisht rastet e vdekjeve.

Xhaferi tha se do të interesohet për këtë problem, por nuk i premtoi se do ta zgjidh.

“Të them se do të interesohem për këtë çështje, por nuk mund them se do ta realizojë, pasi nuk është parim i imi. Në bazë të dokumenteve që janë në institucione do të shohim se ku qëndron problemi”, tha mes tjerash Xhaferi.

Xhaferi u pyet edhe çështjen e resurseve shtetërore nga zyrtarët, ndërsa tha se ligjet janë të qarta dhe se nuk mund të mbajë përgjegjësi për individë tjerë.

“Çështja e përdorimit të resurseve të institucioneve përkatese me apostrofimet personale, nuk e ka për qëllim tendencën e sigurimit të asaj që është qëllimi i ligji. Për secilin që është bartës i funksioneve publike, duhet të jemi të vetëdijshëm që të lexojmë Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet që u bënë në nenin 8-a dhe 8-b si pasojë e marrëveshjes së Përzhinos dhe besoj se çdonjëri e di se deri ku e ka mundësinë për të shfrytëzuar infrastrukturën zyrtare shtetërore. Janë çështje që zbatohen në bazë të ligjit dhe përgjegjësia është individuale”, tha mes tjerash Xhaferi.

Ai gjithashtu shtoi se nuk mund të mbajë përgjegjësi për individë të tjerë që janë funksionarë dhe as nuk mund ta “bëjë gjyqin për ta”.