Bislimi: Serbia refuzoi sërish Marrëveshjen Bazike dhe implementimin e saj

Shpërndaje

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka folur për takimin e sotëm të mbajtur në Bruksel me homologun e tij, Petar Petkoviq.Bislimi tha se Serbia ka refuzuar përsëri Marrëveshjen Bazike dhe zbatimin e saj, teksa bëri të ditur se në takim janë diskutuar edhe disa nga shkeljet e marrëveshjes që i ka bërë Serbia.

“Sot në Bruksel në takimet e procesit të dialogut diskutuam lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit. Për fat të keq, Serbia përsëri refuzoi marrëveshjen dhe zbatimin e saj”.“Po ashtu, kemi prekur një sërë çështjet, ku janë trajtuar edhe disa shkelje të marrëveshjeve nga Serbia, si për energjinë, telekomunikacionin dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shkroi Bislimi

Ai tha se në takim u fol edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, ku tha se palët do të sjellin ide konkrete, por duke e respektuar vendimin e BQK-së.

“Sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme dhe transparencën, palët do të sjellin ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër, duke respektuar gjithmonë vendimin e përmendur të BQK-së”.

“Republika e Kosovës qëndron në ofertën e saj për të ofruar zgjidhje teknike bazuar në planin e përbashkët me vendet e QUINT-it”, shkroi Bislimi.

******

Departamenti Amerikan i Shtetit sonte ka mirëpritur diskutimet që janë mbajtur sot në Bruksel nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës. Mirëpo DASH-i ka bërë thirrje që diskutimet të vazhdojnë me urgjencë.

“Këto janë bisedime që i mirëpresim, që po mbahen sot në Bruksel brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë diskutime për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës. Besojmë se këto diskutime duhet të vazhdojnë me urgjencë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kanali adekuat për të zgjidhur këto çështje të ndërlidhura me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne shprehëm shqetësimet tona lidhur me dinarin”, ka thënë zëvendës-zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel në konferencë për media.