Kosova në KiE dhe NATO, gazetari serb: Serbia drejt braktisjes së rrugës evropiane

Shpërndaje

Goran Mishiq, gazetar serb, në një artikull autorial të botuar në rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera” mbi paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili njoftoi javën e kaluar për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse në këtë organizatë pranohet Kosova, tha se ky është hapi i parë drejt braktisjes së rrugës evropiane.

“Mundësia që Serbia të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova bëhet anëtare e plotë, nëse kjo ndodh realisht, mund të lexohet sikurse një nisje e një politike të re të Serbisë dhe një braktisje de facto të rrugës evropiane”, shkroi gazetari serb, ndonëse duke kujtuar se Këshilli i Evropës nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me organet e Bashkimit Evropian.

“Shqetësime për situatën shprehin edhe disa media, të cilat theksojnë se Serbia do të përballet me vendime kyçe për orientimin dhe politikën evropiane. Gjithashtu theksohet se vendimi eventual për t’u tërhequr nga Këshilli i Evropës mund të ketë implikime afatgjata në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, sikurse edhe në rrugën e mëtejshme evropiane”.Ai gjithashtu përmendi avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s – institucion që mbledh rreth vetes mbi 280 delegatë nga 32 vendet anëtare – duke thënë se kjo paraqet edhe hapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë aleancë të fuqishme ushtarake, përderisa Serbia vazhdohet të pozicionohet në krahët e Rusisë.

“Se situata politike është duke u ‘ndërlikuar’ vërtetohet nga informacioni se Kosova mori statusin e anëtarit të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është hapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë në këtë aleancë. Gjithçka do të zyrtarizohet në seancën pranverore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s më 27 maj në Sofje”, shkroi ndër të tjera ai.Serbia shkeli sërish marrëveshjen e fundit kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë sepse neni 4 përcakton që shteti serb nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.