Ushtria serbe afër kufirit, Kurti: Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI janë në komunikim të vazhdueshëm

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti për lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën ka thënë se Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe se gjithçka është nën vëzhgim.

Postimi i plotë:

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.

“Kur ka situata të këtilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake afrohen afër kufirit, ne i përcjellim me vëmendje nëse po synojnë ta kalojnë kufirin. Janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë. Në ndërkohë, natyrisht që këto institucione diskutojnë, bashkëbisedojnë dhe njoftojnë partnerët tonë ndërkombëtarë. Edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE-në ma lart”.

Kurti gjatë konferencës tha se deri në orën 16:00 nuk ka pasë ndonjë lëvizje afër kufirit.