Fronti Europian/ Bujar Osmani propozon Bord të ri për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore
Në një preskonferencë për mediat të mbajtur sot, Bujar Osmani, kandidati për president nga rradhët e Frontit Europian, ka shpalosur një vizion të qartë për të ardhmen e Maqedonisë, duke theksuar rëndësinë e një lidhjeje të pandashme midis mjedisit jetësor dhe sigurisë kombëtare.
Duke u shprehur para mediave, Osmani ka bërë të ditur angazhimin e tij për një agjendë të gjelbërt, e cila synon të vendosë shëndetin e natyrës dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të politikave të vendit.Osmani ka propozuar ngritjen e një bordi të ri për Validim, i përbërë nga ekspertë botërorë dhe ndërkombëtar, i cili do të funksionojë si një mbrojtës i trashëgimisë natyrore të Maqedonisë.
“Sot qëndroj para jush për të folur për një çështje thelbësore për të ardhmen e vendit tonë. Përderisa përballemi me sfidat e shekullit 21 është e nevojshme të njohim bindjen e pashkëputur midis mjedisit jetësor dhe sigurisë së vendit. Vendi ynë është i bekuar me bukuri natyrore që nga ujrat e qeta të liqenit të Ohrit, e deri tek majat madhështore të Malit Sharr.
Magjithatë derisa synojmë zhvillimin duhet të sigurohemi që ky progres të mos bëhet në kurriz të vetë mjedisit jetësor që na mban në jetë.
Si kandidat për president jam i përkushtuar për një agjendë të gjelbërt, e cila vendos në paln të parë shëndetin e tokës tonë, dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Për realizimin e kësaj agjende propozoj ngritjen e një bordi për validim, një trupi të përbërë nga ekspert botëror e ndërkombëtar, të detyruar, që do të bëjë veting të të gjitha projekteve dhe ligjeve për ndikimin e tyre ndaj mjedisit jetësor.
Ky bord do shërbejë si mbrotës i trashigimisë tonë natyrore, duke siguruar që çdo vendim që marrim si shtet të jetë në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit”, tha Osmani.
Duke u zotuar se nuk do të nënshkruajë asnjë ligj që nuk kalon vetingun e këtij bordi, Osmani ka theksuar se siguria e vendit nuk lidhet vetëm me forcat e armatosura, por edhe me ndërtimin e një shoqërie që është e qëndrueshme dhe në harmoni me natyrën.
“Kjo do të jetë dëshmi për përkushtimin tonë ndaj brezave që vijnë, duke u siguruar që ata të trashigojnë një vend jo vetëm të begatë por edhe të gjelbërt. Nuk do të nënshkruaj asnjë ligj që nuk do të kalojë filtrin e këtij bordi të validmit, dhe vetingut të projekteve për ndikimin e tyre ndaj mjedisit jetësor.
Siguria nuk ka të bëjë vetëm me armata por ka të bëjë edhe me krijimin e një shoqërie e cila është e rezistuese dhe në harmoni me natyrën. Duke i integruar konsideratat e mjedisit jetësor në kornizën tonë të sigurisë do të marrim një qasje të tërësishme për të mbrojtur të ardhmen e vendit.
Ju bëj thirrje të gjithëve që të mbështesni këtë zotim, sepse nuk është vetëm një premtim politik por një imperativ moral, bashkë vazhdojmë drejt një rrugëtimi për një Maqedoni më të gjebërt dhe më të sigurt”, tha Osmani./Indeks.mk