Kurti: Kosovës t’i hiqen menjëherë masat, s’ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve në veri

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me procesin e votimit në veri u tregua se s’ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat sanksionuese sa më parë.

“Qytetarët serbë në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor. Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%. Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, mundësia e shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore dhe mbajtja e zgjedhjeve ishte kriter kyç për heqjen e masave.

Ai ka ftuar kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci dhe atë të Zubin-Potokut, Izmir Zeqirin, të shkojnë në objektet e komunave për të ushtruar detyrën.