Muaji i Shenjtë i Ramazanit, Rama shtron darkën e Iftarit: Është virtyt t’i ushtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit, unë bëj pjesë tek më pak të fortët

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka shtruar darkën e Iftarit në Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Rama falenderoi të pranishmit, ata që asgjëronin dhe jo, ndërsa tha se pjesëmarrja në Iftar është një lloj agjërimi më vete. Ai theksoi se vakti i Iftarit nuk është i zakonshëm, por një ndarje buke mes të fortëve, atyre që agjërojnë, dhe më pak të fortëve, ata që nuk agjërojnë, ku bën pjesë edhe vetë kryeministri.

Harmonia fetare nuk u la pa u përmendur nga Rama, i cili tha se nuk ka pasur paragjykime dhe se të qenurit në fe të ndryshme, nuk ka qenë një faktor për t’u grindur me njëri tjetrin, ashtu siç dëgjojmë nëpër botë.

Rama: Ju falenderoj që pranuat ftesën, të merrni pjesë në këtë sofër iftari tradicionale. Njësoj siç e mirëpresin agjëruesit, edhe unë mezi e pres ta ofroj këtë iftar së bashku me Lindën dhe kujdo angazhohet që sofra të ketë frymën e një mbrëmjeje, që nuk na mbledh bashkë as gjuha as feja, as puna, apo ideja e çdokujt për Zotin, por na bashkon ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë, e lidhjes me diçka të ngjashme, që i gjejmë emra të ndryshëm, ose edhe pa u munduar t’i gjejmë emër, i ndjejmë afërsinë e papërkufizueshme.

Vakti i Iftarit nuk është i zakonshëm, është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që agjëronin dhe më pak të fortëve që të agjëronin nuk mundën apo nuk deshën. Është virtytit që t’i ushtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit. Në këtë muaj të Madhërueshëm apo Lartwsueshwm, duke qenë se unë vetë, pavarësisht lartësisë së shtatit, dhe unë bëj pjesë tek më pak të fortëve, e shoh të virtytshme edhe uljen e joagjëruesve në sofrën e Iftarit.

Pjesëmarrja në Iftar është një lloj agjërimi më vete, një e lënë mënjëanë ndaj paragjykimeve, një përulje ndaj dokeve të tjetrit, kryerja e një gjesti njërzillëku, në një vend si i yni, ku të qënit të ndryshëm në fe, nuk ka bërë të grindemi. Duke shtruar një Iftar bashkohemi në rrugë të ndryshme, në respektin e agjërimit të motrave dhe vëllezërve, në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Ka zëra që më vijnë për të hequr dorë nga kjo traditë, përgjithësisht nga njerëzit jobesimtar, që kujtohen kur shohin fenë e të tjerëve t’u shfaqet në celularet e tyre.