Pas dështimit të referendumit, sot mbahet seanca e parë në objektin e komunës së Zubin Potokut

Shpërndaje

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka bërë të ditur se sot do të mbahet seancë urgjente në këtë komunë.

Zeqiri ka thënë se rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit.

Ai njoftimin për seancë tha e ka marrë mbrëmë vonë.

Sot do të mbahet një seancë e rregullt e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, ndërkaq për herë të parë mbahet në objektin e komunës që pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit të kaluar.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Ai tha se në këtë seancë do të jenë vetëm dy pika të rendit të ditës, e para për për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit si dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së kaluar.

“Sot kemi seancë në objektin e komunës. Rendi i ditës është për themelimin e Komisionit për pranimin e objektit dhe miratimi i proces verbalit nga mbledhja e kaluar”, ka thënë Zeqiri.

Bojkoti i qytetarëve të Zubin Potokut për të votuar për shkarkimin e tyre më 21 prill, u ka hapur rrugë atyre që detyrën ta ushtrojnë nga zyrat në komunë.

Ndryshe, është bërë tashmë një vit prej kur u bë kryetar i kësaj komune Izmir Zeqiri, i cili detyrën e ka ushtruar nga zyrat alternative në fshatin Çabër.

Nis seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut

Ka filluar të mbahet seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin-Potokut. Në seancë po merr pjesë edhe kryetari i Komunës, Izmi Zeqiri. Në rend dite është themelimi i Komisionit për pranimin e objektit.

Seanca po zhvillohet e mbyllur.

Kryetari Izmir Zeqiri tash e një vit detyrën e ka ushtruar nga zyra alternative në fshatin Çabër, ndërsa sot ka hyrë në objektin e komunës në Zubin-Potok për të marrë pjesë në seancë.

Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, patën hyrë në objektet e komunave që udhëheqin më 26 maj të vitit të kaluar, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. Por më 29 maj 2023 iu pamundësua hyrja nga protestuesit serbë.

Para komunës së Zveçanit, protesta kishte eskaluar në dhunë, duke lënë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Nga atëherë, kryetarët e këtyre dy qyteteve kishin ushtruar detyrën nga zyrat alternative në fshatra.

Shkuarjen e tyre në zyrat e komunës e ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, pas bojkotit të votimit të së dielës nga serbët, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.