Qeveria jep detaje të reja për telefonatën e mbrëmshme të Kurtit me Macronin

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Qeveria e Kosovës, sot përmes një komunikate për media, ka thënë se gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

“Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

“Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se Kurti po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.