Sot në orën 19:00 skadon afati për parashtrim të ankesave për procedurën e votimit
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare, shkojnë kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së, të cilët fituan më së shumti vota sipas rezultateve fillestare zyrtare të Komisionit shtetëror zgjedhor. Në rrjedhë janë afatet për ankesa në KSHZ, të cilat mund t’i parashtrojnë kandidatët për procedurën e votimit dhe për grumbullimin e rezultateve.
Deri sot në orën 19:00 skadon afati për parashtrim të ankesave për procedurën e votimit, ndërsa deri në mesnatë afati për ankesa që kanë të bljnë me grumbullimin e rezultateve pas të cilave KSHZ duhet të sjellë vendim në afat prej 72 orëve. Siç sqaroi dje kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, kandidatët nëse nuk janë të kënaqur nga vendimi i KSHZ-së, kanë të drejtë padie në Gjykatën kushtetuese, e cila ndërkaq duhet të vendosë në afat prej 48 orëve pas pranimit të padisë.
Rezultatet e para zyrtare që dje i publikoi KSHZ tregojnë se në rrethin e parë të votimit kanë votuar 905.971 qytetarë gjegjësisht 49,93 për qind. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të papërdorura është 908.384, ndërsa numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme është 24.562 ose 2,71 për qind.
Për Siljanovska-Davkovën votuan 363.086 votues ose 40,08 për qind, për Pendarovskin 180.500 votues ose 19,92 për qind, për Bujar Osmanin nga BDI 121.088 ose 13,07 për qind, për Maksim Dimitrievskin nga ZNAM 83.856 votues ose 9,26 për qind, për Srben Taravarin nga opozita shqiptare Vlen 83.393 votues ose 9,2 për qind, për Biljana Vankovskën nga partia E majta 41.331 vota ose 4,56 për qind dhe për Stevo Jakimovskin nga GROM – 8.121 vota.
Votimi në tre vendvotimet në rajonin e Kumanovës ku dje kishte ndërprerje më shumë se tri orë nuk do të përsëritet sepse kjo nuk ndikon në rezultatet përfundimtare, ndërsa do të shkarkohen këshillat zgjedhorë në këto vendvotime, vendosi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
“Në bazë të procesverbaleve të arritura nga KKZ të dorëzuara në KSHZ dhe nga kontrolli në të njëjtat dhe komunikimi të cilin e kemi realizuar gjatë ditës së djeshme me KKZ Kumanovë konfirmuam se këshillat zgjedhorë në këto tre vende nuk kanë vepruar në bazë të udhëzimeve të cilat i sjell KSHZ”, tha Boban Stojanovski nga KSHZ.
Gjithashtu KSHZ e angazhoi edhe shërbimin juridik që të vërtetojë nëse ka baza për përgjegjësi në këshillat zgjedhorë.
Në zgjedhjet e 8 majit në këshillat zgjedhor do të ketë nga shtatë anëtarë, në vend të pesë të tanishmëve me qëllim të efikasitetit më të mirë në organizimin e punës, evitimin e tollovive në vendvotim dhe evitimin e mundësisë për gabime të mundshme.