Zjarr i madh në Sallën Universale në Shkup, nuk ka viktima, arsyet ende të panjohura (Video)

Shpërndaje

Pak para orës 10 të paradites një zjarr i madh ka kapluar Sallën Universale ndërsa tymi i madh që u ngrit mbi objektin ishte i dukshëm edhe nga pjesët më të largëta në Shkup. Zjarri përfshiu gjithë objektin ku u dogj gjithçka që deri më tani është rinovuar. Me intervenim të shpejtë, zjarrfikësit me kran arritën që të lokalizojnë zjarrin, por dëmi ishte shumë i madh. Për fat të mirë nuk ka viktima përveç se dy gra që kanë thithur tym dhe për këtë arsye janë dërguar në Klinikën për Toksikologji. Komandanti i zjarrfikësve të Shkupit, Zvonko Tomeski, tha se është ende herët për të konfirmuar shkaqet e zjarrit.

“Gjithsej kemi intervenuar me 9 automjete zjarrfikëse dhe 24 zjarrfikës. Për një kohë relativisht të shkurtër falë sakrificës së kolegëve, zjarri u vendos nën kontroll edhe pse temperatura në objekt ishte tepër e lartë. Pati kolaps në konstruksionin e çatisë, ende po punohet për shuarjen e plotë, ende temperatura është e lartë në objekt, nuk mundemi të kemi qasje deri te të gjitha vendet. ajo që është e rëndësishme për ne është se intervenimi është i suksesshëm nga aspekti i shpejtësisë së intervenimit dhe fakti në nuk ka zjarrfikës dhe qytetarë të lënduar”, tha Zvonko Tomeski.

Sipas Llazar Arsovskit, pronar i kompanisë ndërtimore “Universal Balkan”, i cili është i përfshirë në rindërtimin e Universal, tha se fatmirsisht sot punëtorët nuk ishin brenda objektit, përveç sigurimit. Sipas supozimit të tij, shkaku i zjarrit është instalimi i vjetër elektrik.

“Ne supozojmë se ndoshta është një kabllo e vjetër që nuk mund ta dimë saktësisht apo ndonjë instalim i vjetër. Kur nisi tymi, nuk kishte njeri në sallë, punëotrët e mi u përpoqën ta shuanin me aparatin kundër zjarrit, bëhet fjalë për iverica të vjetra, të thata që digjen lehtë. Siç mund ta shihni, për gjysmë ore pothuajse u shua, sepse nuk kishtë në objekt se çfarë të digjet. Le të shpresojmë që ndërtimit të ri të mos u janë shkaktuar dëme”, u shpreh Lazar Arsovski.

Ministrja Bisera Kostadinova Stojçevska thotë se pas përfundimit të hetimeve për shkaqet e zjarrit, do të vazhdojë rikonstruimi i sallës.

“Apeloj për zbardhjen e shpejtë të shkaqeve të rënies së zjarrit. Janë shkaktuar dëme materiale, shkalla e të cilave do të përcaktohet sa më shpejt përpara se të vijojë me ndërtim. Duhet të theksoj se godina është e siguruar, që do të thotë se dëmi që është bërë do të riparohet nga sigurimi dhe më pas do të vazhdojë ndërtimi”, deklaroi Bisera Kostadinova Stojçevska.

Salla universale që u mbyll dhe u shkatërrua prej 9 vitesh, pas disa negociatash, nisi rikonstruksioni I saj për një muaj e gjysmë. Më herët, Qyteti i Shkupit, nën kompetencat e të cilës ishte kjo sallë, hoqi dorë nga rindërtimi i saj pasi kryetarja Danela Arsovska e ndërpreu rindërtimin. Pas kësaj punët i mori Ministria e Kulturës, e cila vazhdoi me rikonstruksionin./TV21