​BE nuk ia heq masat Kosovës, Osmani i ankohet Hovenierit

Shpërndaje

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Në takim u diskutua edhe mbi procesin e votimit në katër komunat veriore, me ç’ rast e para presidentja Osmani potencoi se vazhdimi i masave ndëshkueset të BE-së ndaj Kosovës është i padrejtë, pasi kjo e fundit ka plotësuar kushtet për heqjen e tyre.

Osmani e Hovenier diskutuan edhe për të arriturat dhe projektet e përbashkëta, në mesin e të cilave edhe fillimi zyrtar i Programit Kompakt të MCC-së në Kosovë, i cili projekt pritet ta transformojë sektorin e energjisë.

Ndryshe, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se masat ndaj Kosovës janë duke vazhduar dhe se ato do të hiqen kur vendet anëtare të BE-së vendosin, dhe se një gjë e tillë nuk iu takon politikanëve të Kosovës.

Reagimi i tij erdhi pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat për heqjen e sanksioneve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj qëndrimit të BE-së duke thënë se masat janë vendosur padrejtësisht, duke e fajësuar Kosovën për zhvillimet në veri.

Masat e BE-së përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për MSA, mos ftesën në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).