Gjakova bëhet me shtatoren e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut

Shpërndaje

Monumenti i Gjergj Kastriot-Skënderbeut është shpalosur sot në vigjilje të ditëlindjes së heroit tonë të madh kombëtar dhe shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Komunës së Gjakovës.

Shpalosja e monumentit të heroit legjendar shqiptar, i cili për 25 vjet i bëri ballë Perandorisë Otomane, u bë në Parkun e Madh të qytetit, në prani të autoriteteve komunale, figurave të ndryshme politike dhe qytetarëve të shumtë nga trojet shqiptare.

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka vlerësuar lart vendosjen e monumentit të kryetrimit shqiptar në qytetin e djegur nga lufta dhe barbaria serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se figura e Skënderbeut paraqet unitetin e fuqishëm që mbretëron ndër shqiptarët ndër shekuj.

“Monumentet kur i sheh dikush janë guri dhe bronz, por nëse të gjithë këta njerëz që janë këtu e kanë në zemër një monument të tillë nuk është më vetëm bronz dhe gur për shkak se është në zemër të secilit njeri, është në ndjenjat tona dhe përfaqëson unitetin tonë, andaj bronzi dhe guri kur duhen prej të gjithëve, atëherë shndërrohen në simbole që na bashkojnë dhe na bëjnë më të fortë dhe na bëjnë të ndihemi më mirë në tokën dhe vendin tonë…Gjithmonë kemi qenë këtu dhe do të jemi këtu, por sot e kemi edhe një derdhje në bronz që do jetojë sa jetë jeta”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në fjalën e tij tha se simboli i unitetit shqiptar dhe lidhjes së përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet për liri përgjatë shekujve, duke përfshirë edhe Gjakovën.

“Gjergji mbeti vetëm, por asnjëherë nuk e lëshoi drejtimin e vet, rrugën e vetë, angazhimin e vet jo vetëm për t’i bashkuar shqiptarët që të mbeten vetvetja dhe për të qenë ne këtu në Ballkan, por edhe me bindjet që kishte. Ajo që i ndodhi brezit tonë të ri, brezit të UÇK-së është mrekullia dhe mund t’ju themi që ky mijëvjeçar që ka filluar, e ka një vlerë të madhe. Ja e shihni flamurin amerikan këtu. Pra, nuk është rastësi që një ditë si kjo duhet t’i lidhim këto aleanca. Shqiptarët kur janë në aleanca të forta, i ndjejnë të drejtat e veta sigurt dhe unë besoj se pikërisht nga ajo që jemi nisur duhet të vazhdojmë atë që ishte dëshirë e përcaktim i shqiptarëve, e cila është aleanca e jonë, në fakt kjo e sotmja euroatlantike dhe NATO…Mendoj se Gjergji është pikërisht aty ku duhet, është në vendin e duhur, te njerëzit e duhur”, ka thënë Haradinaj.

Ceremonia e shpalosjes së monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut është përmbyllur me disa muzikore të interpretuara nga këngëtarët e njohur si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha nën vargjet “Gjithmonë do të jetë Shqipëria sa të ketë dhe e gjak shqiptar”.