Imami kosovar thirrje Kurtit e Haxhiut: Lejoni shamitë në shkolla!

Shpërndaje

Imami Kosovar Labinot Maliqi, përmes një postimi ne facebook i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu që të lejojë bartjen e shamisë në shkolla.

Sipas Maliqit, kjo politikë jo vetëm që cenon të drejtat themelore arsimore të vajzave tona, por cenon edhe lirinë e tyre për të praktikuar hapur besimin.

Ndërsa ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohejmë zërat në mbrojtje të të gjitha vajzave të mbyllura në shtëpitë e tyre për shkak të kësaj ndalese të padrejtë.

Postimi i plotë:

Në këtë kohë kur debatohet për kushtëzime politike në vend të përmbushjes së kritereve thelbësore për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe lirive individuale për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndihem i zhgënjyer. Jo vetëm nga Qeveria jonë, e cila përmes një Udhëzimi Administrativ vazhdon të pengoj arsimimin e vajzave që zgjedhin të mbulojnë kokën e tyre, por tani edhe nga institucionet ndërkombëtare që pretendojnë se mbrojnë këto liri dhe të drejta, ndërkohë që prioritizojnë çështjet politike!

Arsimimi, i garantuar si e drejtë themelore në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, u mohohet vazhdimisht vajzave tona. Së fundmi në Lipjan, një tjetër nxënëse e re është përjashtuar nga shkolla thjesht për shkak të bartjes së shamisë. Ne nuk mund ta luftojmë dhunën ndaj grave nëse nuk mbrojmë të drejtën e tyre të patjetërsueshme për arsimim.

Kryeministër Albin Kurti, ministre Albulena Haxhiu, ju bëj thirrje që të shfrytëzoni autoritetin tuaj politik për ta trajtuar me vendosmëri këtë çështje kritike. Ju lutemi filloni me anulimin e Udhëzimit Administrativ të MASHT-it, i cili ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Kjo politikë jo vetëm që cenon të drejtat themelore arsimore të vajzave tona, por cenon edhe lirinë e tyre për të praktikuar hapur besimin.

Le të bashkojmë të gjithë zërat tanë në mbrojtje të të gjitha vajzave të mbyllura në shtëpitë e tyre për shkak të kësaj ndalese të padrejtë, përfshirë ato deri në 12 vjeç.