Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren në Himarë, 15 vite burg për ish-policin Tase

Shpërndaje

Pushimet e familjes Avdia të cilët erdhën nga Anglia në Atdhe përfunduan në tragjedi në gusht të vitit 2022. Teksa ata po pushonin në Potam të Himarës vogëlushja e tyre shtatë vjeçare Jonada Avdia u godit nga një skaf që drejtohej nga , Arjan Tase i cili u afrua shumë pranë bregut ku vogëlushja luante me babain e saj dhe e përplasi atë për vdekje.

Ditën e sotme Prokuroria e Vlorës ka kërkuar në total 15 vite burg për ish-policin Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren. Ish polici Tase akuzohet nga Prokuroria për veprën penale ‘Vrasje me dashje’.

Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Vlorës:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bazë të nenit 378 të K.Pr.Penale ka parashtruar konkluzionet përfundimtare në lidhje me procedimin penal nr.918 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin Arjan Tase i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja me dashje’ parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.

Kjo prokurori, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Tase dhe dënimin e tij me 15 vite burg për veprën penale ‘Vrasja me dashje’.

Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri Arjan Tase, ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura Jonada Avdia ndërroi jetë në moment.

Në lidhje me të pandehurin Arjan Tase, nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte.

Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri Arjan Tase, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.