Kryeministri Kurti pranoi çmim mirënjohës nga gazetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë

Shpërndaje

Gazetarët ukrainas të cilët janë strehuar e jetojnë dhe veprojnë në Kosovë përmes programit Journalists in Residence (JiR), i dorëzuan Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, çmim mirënjohjeje për “Kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas gjatë luftës, mbështetjen për programin ndërkombëtar JiR në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave në Ukrainë dhe Kosovë”. Kryeministrit, çmimi mirënjohës iu akordua nga Presidenti i Unionit të Gazetarëve të Ukrainës Sergiy Tomilenko, teksa ia dorëzoi gazetari Serhii Shevchenko.

Kryeministri Kurti i falënderoi për këtë vlerësim, duke shtuar se për ne ka qenë obligim përkrahja e luftës së drejtë çlirimtare e për liri dhe demokraci e Ukrainës.

Më tej ai shtoi se në mbledhjen e 216-të të Qeverisë, dy javë më parë, në përputhje me kërkesën e Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave (ECPMF), kemi aprovuar kërkesën që edhe tre gazetarë të tjerë të vijnë në vendin tonë përmes programit JiR, e të cilët mezi presim të mbërrijnë në Kosovë.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përpjekjet, punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.