Kurti uron Shqipërinë: Nga ky rrugëtim fiton edhe Kosova
Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitullit të parë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se i dëshiron rrugëtim pa pengesa dhe progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave.
“Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi”, ka shkruar Kurti.
Sipas Kurtit, nga ky rrugëtim do të përfitojë edhe Kosova.
“Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.