Mexhiti: Qeveria është stabile, ka shumicë prej 78 deputetëve
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti në “Pikë Podcast” kërkesën e opozitës shqiptare për zgjedhje të reja e ka quajtur të pakuptimtë, pasi që sipas tij si asnjëherë më parë qeveria aktuale ka shumicë prej ⅔ e votave.
“Opozita shqiptare e cila ka qenë në pozitë gjatë kohë assesi të pajtohet me faktin që nuk janë pjesë e kësaj qeverie. Ka një rregull në demokraci që 100 ditët e para i jepet mundësi qeverisë së re derisa të pozicionohet, etablohet, e pastaj fillon ajo fushata më e egër, diçka që këta nuk e kanë respektuar. Prej viteve të 90-ta deri sot nuk ka pasur qeveri me 78 deputetë, ku dita ditës do të kalon edhe 80-shin. Ju e dini që 4 vitet e kaluara qeveria ka qenë në këmbë të qelqta, me 61 deputetë dhe nuk ra, dhe tash si mund të bie një shumicë që është me ⅔ e numrit të deputetëve”, ka deklaruar Mexhiti.
Mexhiti ka komentuar zhvillimet brenda BDI-së, ku siç tha ai në vazhdimësi po gënjen anëtarësinë e vet si mekanizëm që mos të shpërbëhen.
“BDI po përdor një mekanizëm duke rrejt anëtarësinë e gjërë që mos të ik. Do kthehemi për 1 muaj, do kthehemi për 2 muaj, do të dalim në protesta. Pastaj kur e shohin se nuk kanë përkrahje për protesta thonë do bëjmë takime me qytetarët, dhe kur bahen takimet me qytetarët, ato mbahen me strukturat partiake, ku të njëjtit sillen Kumanovë-Likovë dhe anasjelltas, kështu duke e rrejt njëri tjetrin”, deklaroi Mexhiti.