RajoniTop Lajme

Radoiçiq pret vendimin për aktakuzën në Serbi, Kosova këmbëngul në ekstradim

Shpërndaje

Për Kosovën, ish-politikani serb, Millan Radoiçiq, mbetet thelbi i problemeve të sigurisë. Për më shumë se një vit, emri i tij lakohet si “kriminel”, “terrorist” e “kontrabandist” dhe përmendet në akuza – qofshin zyrtare apo verbale – për orkestrimin e sulmeve në Kosovë.

“Të gjitha këto sulme që kanë ndodhur, por edhe sulmet në të ardhmen që i planifikojnë, drastikisht bie gjasa që të realizohen, nëse u dorëzohet institucioneve të Kosovës, të policisë e të drejtësisë, Millan Radoiçiq”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai e bëri këtë deklaratë pas sulmit të 29 nëntorit në Ibër-Lepenc – kanalin që furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit. Kurti implikoi Radoiçiqin dhe vetë shtetin e Serbisë në organizimin e tij, edhe pse udhëheqja serbe e mohoi çdo përgjegjësi.

Radoiçiq, përndryshe, ka një aktakuzë në Kosovë – për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë – e cila, mes tjerash, e ngarkon me terrorizëm. Kundër tij ka edhe një fletarrestim.Ajo që dihet është se ai gjendet në Serbi – së paku sipas autoriteteve atje. Ndaj, Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Beogradit për ta dorëzuar në Kosovë.

“Në Kosovë ka sundim të ligjit. Gjykatat janë pakrahasimisht më të mira se në Serbi. Këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të sigurojë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka marrë ndonjë garanci nga bashkësia ndërkombëtare. Ngjashëm, as Departamenti amerikan i Shtetit e as Bashkimi Evropian nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se si do të procedojnë pas thirrjes së Kurtit.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë se gjasat që Radoiçiq t’i dorëzohet Kosovës, janë joreale.“Kjo kërkesë apo ky kusht nga kryeministri i Kosovës shihet si i logjikshëm dhe i arsyeshëm, pasi që Serbia nuk është duke ndërmarrë ndonjë masë”.

“Mirëpo, Serbia nuk ekstradon askënd në asnjë vend tjetër, kështu që Bashkimi Evropian ka mirëkuptim për të gjitha vendet e rajonit, që nuk i ekstradojnë shtetasit e tyre në vendet e tjera – me përjashtim të strukturave gjyqësore ndërkombëtare”, thotë Palokaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se koha për t’i bërë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të ndërmarrë masa kundër Radoiçiqit, është tani, përpara se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën në janar.

Vogel thotë se ky presion duhet të vijë nga BE-ja, sepse kthimi i Trumpit nuk pritet të sjellë ndonjë gjë pozitive për Ballkanin Perëndimor, sipas tij.

“Nëse do të kishte presion për ekstradimin e Radoiçiqit, është vështirë të thuhet, marrë parasysh marrëdhëniet e komplikuara mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është e pazakonshme për shtetet që të mos i ekstradojnë shtetasit e tyre. Por, administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, dhe BE-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Vuçiqit se është e patolerueshme që Radoiçiq të vazhdojë të jetë i lirë në Serbi”, thotë Vogel për Exposenë.

Serbia është duke zhvilluar po ashtu hetime kundër Radoiçiqit, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në përleshjen e armatosur që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.