Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji mirëpriti në takim pune përfaqësuesit e kuvendit studentor universitar
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim pune përfaqësuesit e Kuvendit Studentor Universitar, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe avancimit të të drejtave studentore në kuadër të universitetit.
Gjatë takimit, rektori Fetaji u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjellë dhe dëgjoi nga afër kërkesat, sfidat dhe propozimet e paraqitura nga përfaqësuesit e Kuvendit Studentor, të cilat kishin për synim përmirësimin e jetës studentore dhe rritjen e cilësisë në procesin studimor.
Në takim u diskutua për një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë: përmirësimin e infrastrukturës studentore, digjitalizimin e procedurave administrative, lehtësimin e qasjes në burimet akademike, organizimin e aktiviteteve studentore si dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive të studentëve në jetën akademike dhe institucionale të universitetit.
Rektori Fetaji vlerësoi lart angazhimin e Kuvendit Studentor dhe theksoi se udhëheqja e universitetit do të mbështesë çdo iniciativë konstruktive që vjen nga studentët, duke i konsideruar ata si partnerë të barabartë në zhvillimin e universitetit.
Takimi përfundoi me zotimin e dyanshëm për një komunikim të vazhdueshëm dhe institucionalizim të bashkëpunimit në të mirë të komunitetit studentor dhe të të gjithë universitetit.