Kurti dhe Gërvalla shkojnë në Bosnje, përkujtojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë
Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderuan kujtimin e 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë të ekzekutuar sistematikisht nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.
“Srebrenica ishte gjenocid. Një krim i kryer në zemër të Evropës, i planifikuar me qëllim zhdukjen e një popullsie të tërë. 8,372 jetë u shuan brenda pak ditësh, ndërsa bota heshti. Ky është kujtim dhe njëherazi paralajmërim – që të mos lejojmë kurrë më një tragjedi të tillë.”
“Ne në Kosovë e dimë mirë çfarë do të thotë të jesh viktimë e spastrimit etnik, të dhunës dhe të mohimit të ekzistencës. Prandaj, për ne, Srebrenica nuk është vetëm histori – është obligim moral, politik dhe njerëzor. Është test i ndërgjegjes evropiane.”
Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e njohjes ndërkombëtare të gjenocidit, ndëshkimin e autorëve dhe edukimin brez pas brezi, për të parandaluar përsëritjen e tragjedive të tilla.
“Srebrenica është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij,” përfundoi ministrja Gërvalla. “Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër. Viktimat nuk guxojmë t’i harrojmë kurrë.”
Postimi nga KURTI:
Pikëllimi nuk i ka thyer dhe as dhimbja nuk i ka ligështuar, ndonëse vuajtja e familjarëve vazhdon sikurse edhe mohimi i gjenocidit që ua mori më të dashurit.
Me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi ishim në Srebrenicë sot për të shprehur nderimin, ngushëllimin dhe solidaritetin tonë në 30-vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht nga forcat ushtarake të komanduara nga krimineli i luftës Ratko Mlladiq. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë ishte Beogradi zyrtar ai që dërgoi rreth 4 mijë oficerë ushtrie, armatime të shumta e municione pa fund, për shfarosjen e popullsisë vendëse boshnjake.
Në ekzekutimet në masakrën e Srebrenicës mori pjesë edhe njësiti famëkeq “Shkorpionët” të cilët pas Bosnjës do të vinin në Kosovë për të kryer krimet e njëjta, në mesin e të cilave edhe pushkatimin mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2021 pat miratuar një rezolutë që dënonte ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë dhe u bënte thirrje të gjitha shteteve për përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin e kryerjen e gjenocidit. Ndërkaq, para një viti si qeveri morëm vendim për ta shpallur 11 korrikun Ditë Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Paqja dhe pajtimi në Ballkanin perëndimor, pa drejtësi që ndëshkon kriminelët dhe rehabiliton viktimat, ngelen veçse armëpushim e mashtrim.
Postimi nga Gërvalla:
Srebrenica. Gjenocidi i kryer në zemër të Evropës, në vitin 1995.
8,372 burra dhe djem u vranë në mënyrë sistematike. Ekzekutuar një nga një, masakruar me gjakftohtësi, varrosur në qindra varreza masive, zhvarrosur dhe rivarrosur për të fshehur gjurmët e krimit. Asnjë nuk u kursye. Asnjë nuk u kthye. Evropa nuk kishte parë një krim të tillë barbar që nga viti 1945.
Shikoni të mbijetuarit. Ata ishin fëmijë kur humbën baballarët, vëllezërit, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e tyre. Brenda pak ditësh, trupat serbe të Ratko Mladić-it, ndanë burrat dhe djemtë nga familjet, i dërguan nëpër pyje dhe objekte të braktisura, dhe i ekzekutuan sistematikisht. Disa u zhdukën pa lënë gjurmë. Mbi 1,000 ende konsiderohen të zhdukur. Histori të tmerrshme.
11 korriku i vitit 1995 shënon rënien e Srebrenicës dhe fillimin e gjenocidit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak ditësh, 8,372 jetë u shuan në një gjenocid të planifikuar për të zhdukur një popullsi.
Ne në Kosovë e dimë mirë çfarë do të thotë të të ndjekin, të të vrasin, të të masakrojnë, të të dhunojnë e të të zhdukin, vetëm pse je kush je.
Srebrenica është një obligim moral dhe politik. Është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij.
Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër.
Viktimat kurrë nuk duhet kurrë t’i harrojmë.