MaqedoniTop Lajme

Radev: Bullgaria nuk po e bllokon rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, pret të përmbushë kriteret

Shpërndaje

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se vendi i tij “nuk po e bllokon” rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se vendi fqinj nuk i ka përmbushur kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, raporton Anadolu.

Të hënën, gjatë një vizite në Zagreb me ftesë të homologut të tij kroat, Zoran Milanoviq, Radev tha se Bullgaria ka pritur për tre vjet që Maqedonia e Veriut të përmbushë kriterin e barazisë ndaj bullgarëve dhe pakicave të tjera.

“Bullgaria nuk po e pengon Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane, por Republika e Maqedonisë së Veriut po ia bën këtë vetes, sepse ende nuk dëshiron të përmbushë kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim – ndër të cilat është respektimi i diskutueshëm i të drejtave të njeriut dhe diskriminimi. Ne kemi pritur që Maqedonia e Veriut të përmbushë kriterin e barazisë ndaj bullgarëve, por edhe të pakicave të tjera që jetojnë në atë vend, për tre vjet. Nuk kemi kushte shtesë përveç atyre për të cilat është rënë dakord tashmë, por që ende nuk janë përmbushur”, tha Radev në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

Ai shtoi se këto janë kritere të ngjashme me ato të kërkuara për barazinë e kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë.

Presidenti kroat Milanoviq, duke iu përgjigjur pyetjes për marrëdhënien midis Bashkimit Evropian (BE), Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit, theksoi se çështja e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve është një fushë e “marrëdhënieve intime që duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale”.

– U diskutua perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor

Milanoviq dhe Radev diskutuan perspektivën evropiane të Ukrainës dhe të Ballkanit Perëndimor.

Marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Bullgarisë janë miqësore dhe pa sfida, me lidhje të shumta kulturore, historike dhe politike që do të vazhdojnë të thellohen në fusha të shumta, nga siguria te bashkëpunimi ekonomik, turizmi dhe energjia, u vlerësua pas takimit.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, i përshkroi Bullgarinë dhe Kroacinë si faktorë stabiliteti në Evropën Juglindore dhe vende që inkurajojnë zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Meritat tona mbeten një faktor kyç për zhvillimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, prandaj është e rëndësishme për ne që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë se si i mbështesin vlerat e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë reforma në segmente kyçe të shoqërisë, siç janë lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe respektimi i të drejtave të njeriut”, theksoi Radev.

Milanoviq kritikoi marrëdhënien e BE-së me vendet individuale të Ballkanit Perëndimor në krahasim me marrëdhënien e bllokut me Ukrainën.

“Nuk mendoj se po bëhet më e mundshme që Ukraina të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Më duket se vrazhdësia dhe cinizmi i disa strukturave evropiane nuk po ndalet dhe se kjo është e vetmja mënyrë që disa njerëz në strukturat e BE-së të qëndrojnë në pushtet. Të thuash se Ukraina është më afër anëtarësimit në BE sesa Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut është një fyerje për ato vende. Ne i shkatërrojmë ato vende për vite me radhë”, tha Milanoviq.