Mexhiti: Mësim me një ndërrim në shkollat e Çairit!
Zv.kryeministri, Izet Mexhiti thotë se projekti më i madh i mandatit tonë do të jetë kalimi i të gjitha shkollave në mësim me një ndërrim, e më pas në mësim tërëditor sipas standardeve evropiane, njofton albazone media.
Postimi nga Mexhiti:
Për shumë vite, Çairi ishte i harruar nga qeveritë. Sot kemi nisur një kthesë historike: projekti më i madh i mandatit tonë do të jetë kalimi i të gjitha shkollave në mësim me një ndërrim, e më pas në mësim tërëditor sipas standardeve evropiane.
Ky është një investim për fëmijët, prindërit, mësimdhënësit dhe të ardhmen e komunës sonë:
Fëmijët do të mësojnë në kushte moderne, me orë interaktive, aktivitete sportive e artistike dhe shujtë të ngrohtë e të subvencionuar çdo ditë.
Prindërve do t’ua lehtësojmë përditshmërinë, duke i pasur fëmijët të sigurt deri në orën 16:00.
Mësimdhënësit do të trajnohen me metoda bashkëkohore, mjete digjitale dhe programe motivuese për zhvillim profesional.
Komuna fiton shkolla të rinovuara, salla sportive dhe një gjeneratë të përgatitur për të ardhmen.
Projekti nis nga SHFK “Kongresi i Manastirit” dhe do të shtrihet hap pas hapi në të gjitha 9 shkollat e Çairit, me plan të qartë dhe investime të sigurta.
Mësimi tërëditor është standardi që fëmijët tanë meritojnë.
Nga periferi e harruar, në qendër të dijes, ky është vizioni ynë për Çairin!