MaqedoniTop Lajme

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Republikës së Shqipërisë znj. Elisa Spiropali e vizitoi Universitetin e Tetovës

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës, më 23 dhjetor 2025, pati kënaqësinë të mirëpresë në një vizitë zyrtare Ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë znj. Elisa Spiropali bashkë me ambasadorin z. Denion Meidani. Gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës ajo u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe bashkëdrejtuesit e tjerë të universitetit. Gjatë takimit, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli e njoftoi Ministren për misionin, vizionin dhe zhvillimet aktuale të Universitetit të Tetovës, duke theksuar rolin e tij si institucion publik i arsimit të lartë që kontribuon në avancimin e dijes, shkencës dhe zhvillimit shoqëror. Ai vuri në pah përkushtimin e universitetit ndaj cilësisë akademike, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Ndër të tjera u theksua rëndësia e krijimit të një qendre të përbashkët akademike ku ekspertë të fushave të ndryshme mund të bashkëhartojnë projekte arsimore, shkencore, kulturore, sociale e të tjera.

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e vlerësoi punën dhe kontributin e Universitetit të Tetovës në formimin e kuadrove të reja akademike dhe profesionale. Ajo theksoi se arsimi i lartë dhe shkenca janë shtylla kyçe për zhvillimin demokratik, forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe përparimin drejt integrimit evropian, duke shprehur mbështetjen institucionale për iniciativa që forcojnë bashkëpunimin akademik, shkencor e kulturor. Po ashtu znj. Spiropali në fjalën e saj theksoi se Universiteti i Tetovës për çdo shqiptar ngelet një institucion simbol i arsimit të lartë duke marrë parasysh rrethanat dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar që nga themelimi e deri në konsolidimin e tërësishëm.

Fjalë falënderuese dhe mirënjohjeje ndaj Ministres për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë shprehën edhe Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati dhe Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti, ndërsa Kryetari i Kuvendit Studentor Leart Ibraimi në emër të Kuvendit Studentor shprehu dëshirën e tij për krijimin e një forumi të përbashkët studentor të shqiptarëve nga të gjitha trevat shqiptare kudo që jetojnë e studiojnë.

Gjatë vizitës së saj në Universitetin e Tetovës znj. Spiropali e vizitoi edhe Qendrën për Paqe dhe Komunikim Transkulturor. Në takimin që zhvilloi me drejtoreshën Mr. Sc. Donika Kamberi ajo u njoftua mbi aktivitetet që realizon kjo qendër dhe aktivitetet e përbashkëta që janë realizuar me Universitetin e Ilinoisit Verior nga Çikagoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë bashkë me ekipin e saj dhe me drejtuesit e Universitetit të Tetovës e vizituan laboratorin e ndërtimtarisë në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara dhe laboratorin ushqimor të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Në përmbyllje të vizitës, drejtuesit e Universitetit tonë e falënderuan Ministren Spiropali për vizitën dhe vëmendjen e treguar ndaj arsimit të lartë, duke ritheksuar gatishmërinë e Universitetit të Tetovës për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.