MaqedoniTop Lajme

Skandal në tregun e sigurimeve në Maqedoni: 10 kompani gjobiten për krijim karteli në çmimin e sigurimit të automjeteve

Shpërndaje

Dhjetë kompani sigurimi kanë krijuar kartel duke u marrë vesh mes tyre për të rritur çmimin e sigurimit të automjetit, që paguhet gjatë regjistrimit të veturave. Euroins, Triglav, Sava, AD Macedonia Skopje–Vienna Insurance, Eurolink, Grawe, Uniqua, AD Sigurim Polisa, Halk dhe Croatia janë dhjetë kompanitë e sigurimit që kanë shkelur të gjitha parimet e funksionimit të tregut dhe konkurrencës, vetëm për të fituar në kurriz të pronarëve të veturave, njoftuan nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kjo veprimtari është zhvilluar nga marsi deri në maj të vitit të kaluar, për shkak të së cilës Komisioni u shqiptoi kompanive një gjobë të përgjithshme prej mbi 17 milion denarë, ose mbi 280.000 euro, që do të thotë mesatarisht rreth 28.000 euro për secilën kompani.

Komisioni për Vendosje në Lidhje me Kundërvajtjet pranë Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës miratoi një vendim me të cilin u konstatua ekzistimi i sjelljes së koordinuar (kartel) midis dhjetë kompanive të sigurimit në tregun e sigurimit të përgjegjësisë së automjeteve (AO), që çdo pronar i një automjeti motorik është i detyruar ta paguajë gjatë regjistrimit. Gjatë procedurës u vërtetua se kompanitë e sigurimit kanë shkëmbyer informacione të ndjeshme, kanë koordinuar aktivitetet dhe në një kohë shumë të shkurtër kanë marrë vendime identike ose të harmonizuara për rritjen e pjesës së primit për ushtrimin e veprimtarisë – të ashtuquajturit shtesë operativ, thonë nga Komisioni.

Ata theksojnë se sjellja e kompanive të sigurimit përbën kufizim të konkurrencës “për nga vetë qëllimi”, pra formën më të rëndë të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Shkëmbimi i informacionit dhe marrja paralele e vendimeve për çmime e zëvendëson politikën e pavarur afariste me veprim të koordinuar kolektiv në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar, theksojnë nga Komisioni.