A planifikohet heqja e regjimit të vizave nga SHBA?

Shpërndaje

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale ka theksuar se një nga fushat në kuadër të Dialogut Strategjik Maqedoni e Veriut – SHBA, është edhe heqja e regjimit të vizave nga ana e SHBA-së për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Osmani, përmes hashtagut “A e dini se” shkruan se po bëhen përpjekje që gjatë udhëtimeve të mënjanohen edhe kontrollet e qytetarëve tanë në doganën amerikane. Krejt kjo bëhet në fushën e “Bashkëpunimit dypalësh, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit” ku në rrjedhë e sipër është qasja e vendit në programe të caktuara për udhëtim pa viza në SHBA.

Programin për regjimin pa viza me SHBA-në (Visa Waiver Program) – proces afatgjatë që do të jetë në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit dhe do të sjellë impuls shtesë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetit strategjik.

Programin për hyrje globale i SHBA-së (Global Entry Program) – hyrje e pa penguar e qytetarëve tanë me vizë amerikane në SHBA pa realizimin e kontrolleve të zakonshme të sigurisë dhe doganave.

Dialogu Strategjik Maqedoni e Veriut – SHBA, u mbajt më 2 qershor të vitit 2022 në Uashington. Dialogu ishte lansuar nga Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, me çka u hap kapitulli i ri në marrëdhëniet dypalëshe Shkup – Uashington.