Beteja për paga më të larta zhvendoset në rrugë! LSM të mërkurën e ardhshme del në protesta
Beteja për paga më të larta nga e mërkura e ardhshme zhvendoset në rrugë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i ftoi punëtorët të dalin masivisht në protesta. Kërkojnë pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave të tjera. Thonë se është mjerim që pagat e funksionarëve nga shkurti të rriten për 10 për qind ose nga 200 deri në 300 euro, ndërsa punëtorët nga marsi të marrin 25 euro, aq sa është harmonizimi ligjor, në kushte kur pagat maqedonase janë në fund në rajon dhe në Evropë. Protesta do të fillojë më 28 janar në orën 17:00 para ndërtesës së LSM-së, do të vazhdojë para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë.
Pushteti refuzon ta rrisë pagën minimale në kohën kur pragu i varfërisë në Maqedoni është 31.200 denarë, ndërsa 33 për qind e 540.000 punëtorëve jetojnë me pagë nën pragun e varfërisë – shkojnë në punë, por janë të varfër – tha Trendafilov. Shtoi se protesta është vetëm hapi i parë. Nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen, nuk përjashtohet as grevë e përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
“Vazhdon me bllokada të synuara të institucioneve të caktuara, në lokacione të caktuara që edhe ata ta ndiejnë si ne. Na bllokojnë një vit të tërë, do t’i bllokojmë edhe ne ata dhe pastaj vazhdojmë me grevë të përgjithshme në të gjithë sektorin publik dhe privat. Dhe në Maqedoni, siç shpesh kanë qejf të na thonë, sindikatat do t’i thërrasin të gjithë punëtorët t’u bashkohen një greve të përgjithshme 24-orëshe. Secili do të jetë i mbrojtur nga pushimi nga puna. Secili do të ketë mundësi atë ditë të mos punojë. Secili do të ketë mundësi atë ditë të jetë në rrugë. Secili vetë do të zgjedhë nëse do të protestojë”, u shpreh kryetar i LSM-së, Slobodan Trendafilov.
Kreu i LSM-së paralajmëroi edhe mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve, me ç’rast do të jenë propozues të autorizuar të ligjeve dhe do të kërkojnë uljen e pagave të funksionarëve për 78 për qind dhe rritjen e pagave të punëtorëve me pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritjen për diferencën e të gjitha pagave të tjera. Trendafilov kërkoi mbështetjen e të gjithë punëtorëve. Tha se me qëndrimin në shtëpi mbështetet politika e pagave të ulëta, të ardhurave mizerabël dhe jetës së rëndë të punëtorëve – ndërkohë që shpenzimet rriten.

