Osmani flet për BBC-në: Kosova e di si arrihet paqja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka deklaruar se Kosova është shembull i një vendi që e di çmimin dhe rrugën drejt paqes, duke rikujtuar periudhën e luftës dhe mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë.
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botën, jetët tona u shpëtuan”, tha e para e shtetit.
Osmani theksoi se ndërhyrja ndërkombëtare i dha Kosovës një shans për paqe dhe liri, duke nënvizuar arritjet e shtetit sot.
“Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen”, deklaroi presidentja e cila është një nga lideret botërore që i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

