Kurti në tryezën e VV’së: Haradinaj është marrë me qira nga Thaçi për demarkacionin

Shpërndaje

Ka nisur tryeza e subjekteve politike e thirrur kësaj radhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Tryeza po mbahet në ambientet e Kuvendit.
Fjalën i pari e mori kryetari i partisë e cila ka thirrur këtë tryezë, Albin Kurti, i cili tha se Kosova nuk mundet të vazhdojë të qeveriset nga një pakicë parlamentare.

Kurti fjalën e nisi me kritika për Qeverinë Haradinaj e presidentin Thaçi.

Ai përmendi shumë çështje për të cilat thotë se shteti ka dështuar, siç është deportimi i gylenistëve, procesi i shpronësimit në Hade e Shipitullë, ratifikimi i një marrëveshje me të cilën Kosova humb territor, themelimi i një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, siç e quan ai Asociacionin.

“Çka din ky kryeministër. Atë e ka marrë Thaçi me qira për Demarkacionin. Nëse ka veç pak etikë, ai duhet të jap dorëheqje e vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ky kryeministër për karrige e bën edhe Zajednicën”, ka thënë Kurti.

“Haradinaj duhet të japë dorëheqje, ose ne si opozitë në Kuvend e iniciojmë mocionin e mosbesimit”, tha tutje Kurti.

Përndryshe, PDK, AAK, Nisma dhe PSD, janë shprehur kundër që temë kyçe e tryezës së partive politike të thirrur nga VV-ja, të jetë konsensusi për zgjedhje të parakohshme, VV-ja vazhdon të insistojë që kjo temë, duhet të jetë temë qendrore e tryezës.