RajoniTop Lajme

Presidenti Bajram Begaj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut: Miqësi, Barazi dhe Vizion i Përbashkët Evropian

Shpërndaje

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të angazhimit të tij për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, iu drejtua Kuvendit, autoriteteve të larta publike dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përcjellë mesazhe miqësie, partneriteti dhe vizioni të përbashkët evropian.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë ndërtuar mbi zgjedhje të vetëdijshme politike, mbi respekt dhe partneritet të ndërsjellë, si dhe mbi bindjen e përbashkët se stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi evropian janë objektiva që na bashkojnë. Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve si faktor shtetformues, bashkëpunues dhe konstruktiv në Maqedoninë e Veriut, duke riafirmuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si gur themeli për barazinë, bashkëjetesën ndëretnike dhe forcimin e shtetit demokratik.

Postimi i plotë:

Sot pata nderin t’i drejtohesha Kuvendit, autoriteteve të larta publike dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në emër të Republikës së Shqipërisë, duke i shprehur mesazhet e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë.

Marrëdhënia midis dy vendeve tona është ndërtuar mbi zgjedhje të vetëdijshme politike, mbi respekt dhe partneritet të ndërsjellë dhe mbi bindjen se stabiliteti ynë është i përbashkët.

Fjala drejtuar Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ishte rasti i duhur për të afirmuar rolin e shqiptarëve si faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik në Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit është gur themeli për rendin kushtetues dhe bashkëjetesën ndëretnike. Ajo dëshmoi se dialogu mund të mposhtë krizën dhe se barazia forcon shtetin, prandaj është koha të riafirmojmë përkushtimin ndaj parimeve dhe angazhimeve të kësaj marrëveshjeje.
Shqipëria beson se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve me institucionet shtetëror,e zbatimi i plotë dhe efektiv i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ruajtja dhe funksionimi i mekanizmave të barazisë janë elemente thelbësore për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane.