Ahmeti: Mu vendos në tavolinë ndarja e Maqedonisë, por nuk ishte zgjidhje e mirë
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zbuluar se para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit i është propozuar në tavolinë ndarja e Maqedonisë. Në një intervistë ekskluzive me Pandi Gjatën në Ditarin e Pasdites në A2 CNN ai tha se kjo do të sillte pasoja të rënda. Ahmeti theksoi se propozimi i kishte ardhur nga qeveria e atëhershme maqedonase, e drejtuar nga Ljubço Georgievski, por u refuzua pasi sipas tij do të çonte në luftë për territore dhe zhvendosje masive të popullsisë.
“Ne kemi pranuar marrëveshjen paqësore të Ohrit si zgjidhje më e mirë, vërtetë kompromis, por zgjidhja tjetër nuk ishte aq e lumtur, nuk ishte aq e mirë, por ishte e dhimbshme edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët, sepse mua mu vendos në tavolinë propozimin për ndarjen e Maqedonisë, nga Qeveria e Maqedonisë, kryeministri Georgievski. Mirëpo, nuk ishte zgjidhja më e mirë, ishte zgjidhje që do shkaktonte përplasje shumë më të mëdha. Do merrte shumë jetë njerëzish, sepse lufta do zhvillohej për territore. Ai propozim i Georgevskit e përkufizonte dhe nga 30% shqiptarët sa janë në Republikën e Maqedonisë në një hapësirë territori diku rreth pesë apo gjashtë për qind, kryesisht ishte Tetovë, Gostivar dhe vendlindja ime Zajazi dhe Oslomeja. Po pa Kërçovën, pa Strugën, pa Shkupin, pa Kumanovën, pa Prespën, pa Manastirin, pa Velesin, pa Ohrin. E dhimbshme për të dy palët. Duhej të dëboheshin rreth 260 mijë shqiptarë nga tokat e veta dhe 60 mijë maqedonas gjithashtu nga tokat e veta që jetonin në pjesën e me shumicë shqiptare. Dhimbja do ishte e njëjtë për të dy palët”, tha Ahmeti.
Sipas Ahmetit, zgjidhja më e mirë mbeti Marrëveshja e Ohrit, pavarësisht se ishte kompromis dhe nuk kënaqi plotësisht asnjërën palë. Ahmeti kujtoi se marrëveshja solli përparime të rëndësishme për shqiptarët, si legalizimi i Universitetit të Tetovës, rritja e përfaqësimit në institucione dhe përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe.
Ahmeti duke folur në panelin e diskutimit në Samitin e Diasporës në Tiranë, ka thënë se gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është në rrezik.
“Sa i takon gjuhës shqipe në Maqedoni, është një rrezik i vërtetë që mendoj që duhet t’i dalim zot të gjithë gjuhës që e flasim të gjithë”, tha ai.
Ai tha se gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është e garantuar me Marrëveshjen e Ohrit të gushtit të vitit 2001 që i dha fund luftës në Maqedoninë e Veriut. Ajo marrëveshje siguroi, ndër tjerash, që shqipja të bëhej gjuhë zyrtare dhe të rritej pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet qeveritare, polici e ushtri.
Ai tha se ajo marrëveshje u nënshkrua dhe “garantua” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO dhe se është e përbashkët përgjegjësia për ta mbrojtur atë.

